Banorët e vijës kufitare me Malin e Zi nuk lejohen ti vizitojnë varrezat e të parëve të tyre

foto 1

Këshilli i fshatit Llukë e Epërme dhe përfaqësuesit e fshatrave të vijës kufitare me Malin e Zi, përmes një komunikate për media kanë njoftuar për vizitën që dje kishin planifikuar t’i bëjnë bjeshkëve që njihen si vendi te “Kulla e Zhlepit”.

Arsye e kësaj vizite, sipas këtij Këshilli, thuhet të ketë qenë vizita e planifikuar në varrezat e të parëve të tyre. Por ky planifikim nuk mundi të kryhej nga gjithë këta fshatarë. I pamundshëm ishte udhëtimi i tyre për në vendin e paralajmëruar. Banorët thonë se u ndaluan të shkojnë në vendin ku ata për çdo vit ishin vizitorë, dhe aq më shumë ata paralajmërojnë radikalizim të veprimeve nëse do të vazhdohet me këtë bllokadë. Këshilli thotë se është pikërisht kjo bjeshkë e cila tash mëtohet se i takon Malit të Zi e për të cilën ata historikisht kanë pasur ‘hise’. “Kjo ndalesë ishte e padrejtë, pasi që ishte 5 km në thellësi të territorit të Kosovës, ani pse marrëveshja ende nuk është ratifikuar”, deklarohen ata.

Vetë Këshilli ka njoftuar për situatën e djeshme, përmes një shënimi dërguar mediave, të cilën po e publikojmë të plotë:

Ne qytetaret e fshatit Llukë e Epërme dhe përfaqësuesit e fshatrave tjera të vijës kufitare me Malin e Zi, që i kemi pronat dhe bjeshkët tona te Kulla e Zhlepit, me datë 10 gusht përderisa ishim duke shkuar për të vizituar bjeshkën dhe varrezat e të parëve tanë, u ndaluam në mënyrë arbitrare nga forcat të shumta policore të Malit të Zi. Kjo ndalesë ishte e padrejtë, pasi që ishte 5 km në thellësi të territorit të Kosovës, ani pse marrëveshja ende nuk është ratifikuar.

Ne në shenjë proteste bllokuam rrugën kryesore për orë të tëra, shprehëm pa kënaqësinë tonë për gabimin e madhe të Komisionit Qeveritar, të Presidentit Thaçi, të Kryeministrit Mustafa, dhe në mënyrë kolektive i bëjmë thirrje deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës te të gjitha subjekteve politike që të mos e ratifikojnë marrëveshjen dhe ta bashkojnë votën kundër demarkacionit.

Në të kundërtën kjo është tradhti e madhe Kombëtare, tradhti  ndaj qytetarëve dhe shtetit të Republikës së Kosovës, dhe historia do të ju ndëshkoj rënd, duke u bërë njollë e zezë në historinë e këtij vendi.

Ne kurrë nuk do të pajtohemi me marrëveshjen si të tillë, dhe nuk do të ketë stabilitet e pajtueshmëri qytetare, dhe nuk do të qëndrojmë indiferentë, e veprimet tona do të radikalizohen.

Të nderuar deputet mos e votoni këtë marrëveshje!