Bahtiri: nuk ka marrëveshje me PAN-in, paralajmëron Isa Mustafën se AKR do të largohet nga koalicioni

Nënkryetari i AKR-së, Agim Bahtiri në një prononcim për Periskopin edhe një herë ka hedhur poshtë spekulimet se partia së cilës i takon, ka lidhur koalicion me PAN-in.

‘AKR nuk ka lidhur koalicion. Këto janë vetëm spekulime të mediave. AKR ka qenë dhe do të jetë kundër PAN-it’, ka thënë Bahtiri.

Ai deklaron se AKR kërkon një qeveri gjithpërfshirëse, gjë që sipas tij Isa Mustafa nuk po e dëshiron për interesa personale.

‘AKR prej kohësh ka kërkuar qeveri gjithpërfshirëse. Këtë nuk dëshiron ta bëjë Isa Mustafa për qëllime të veta. E falënderoj Vetëvendosjen që ka dhënë mundësinë që deputetetët shqiptarë të nëshkruajnë për atë se kush duhet ta udhëheqë qeverinë , por Mustafa nuk dëshiron t’i përgjigjet kësaj iniciative’’, ka thënë Agim Bahtiri për Periskopin.

Sipas nënkryetarit të AKR-së, Isa Mustafa po  e shfrytëzon postin e kryeministrit për ta zgjatur procesin e krijimit të institucioneve, e pas zgjedhjeve locale të shkojë në ‘prehrin’ e PDK-së.

Bahtiri thotë se nëse nuk gjendet asnjë zgjidhje, atëherë vendi duhet të shkojë sërish në zgjedhje.

Po ashtu, nuk ka përjashtuar mundësinë që AKR si parti të largohet nga koalicioni me LDK-në.

‘AKR do të marrë vendim që të largohet nga LDK-ja. Ne do të themelojmë grupin parlamentar tonë, deputetë i kemi të mjaftushëm dhe do të jemi të ashpër me ta për arsye se ky është një zhgënjim total’’, ka deklaruar Bahtiri.

Tutje lidhur me dosjet e Vetëvendosjes kundër Isa Mustafës, ai tha se qëndrimi i Mustafës në këtë rast është i papranueshëm, meqë sipas tij, nëse kryeminstri në largim është i pastër, atëherë le ta dëshmojë një gjë të tillë, e jo të mbajë peng proceset për këtë shkak./Periskopi/