Bahtiri: Mitrovica Veriore duhet të zhbëhet, për ta penguar spastrimin etnik

agimiAgim Bahtiri, kryetar i Mitrovicës Jugore, ka bërë apel të enjten që të merren masa për të stopuar spastrimin etnik në veri.

Ka përmendur dy mundësi për ta ndalur zbrazjen e shqiptarëve nga kjo pjesë – duke e zhbërë Komunën e Mitrovicës Veriore, ose duke i kaluar nën administrim të Mitrovicës Jugore Lagjen e Boshnjakëve dhe Kroin e Vitakut.

Këtë apel e ka bërë në një prononcim dhënë “Kohës Ditore”, një ditë pasi autoritetet e Qeverisë së Serbisë dhe ato të Mitrovicës Veriore i kanë dorëzuar çelësat për banesa që u janë ndërtuar serbëve në Lagjen e Boshnjakëve.

Pos drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në këtë aktivitet kanë marrë pjesë edhe kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, dhe ministra serbë të Qeverisë së Kosovës. Janë 100 banesa që u janë ndarë çifteve serbe.
Bahtiri ka thënë se ky zhvillim do të përcillet me pasoja.