Babai i Mirsadit: BDI më vrau dy herë, në Kumanovë dhe Gjakovë

osman_ndrecaj_100172999Baca Osman thotë se është i lodhur edhe nga dezinformatat dhe spekulimet e ndryshme që paraqiten nëpër mediume lidhur me djalin e tij. “Për sa para dikush mund të pranojë të vritet dhe të lë dy jetima – djalin 7 vjet, vajzën 9 vjet dhe gruan e vejë ende pa i mbushur 30 vjet? Sot e këtë ditë e dëgjoj zërin e vajzës së tij, e cila natën kur luftohej, duke qarë me sa zë që kishte e luste në telefon: ‘O bab, për riza të Zotit kthehu, mos na le jetima. A po e shesh se ju kanë tradhtu politikanët’. I dëgjonte edhe ajo bisedat tona”, rrëfen baca Osman dhe psherëtin: “Ma vranë djalin pasi e arrestuan. E vranë në tradhti”

Kanë kaluar tre muaj nga lufta e Kumanovës, por dhimbja e familjes Ndrecaj ende është e madhe për humbjen e djalit të tyre, Mirsad Ndrecaj-Nato.

“Valla kto ditët e fundit jam duke u mërzit më tepër. Deri tash vinin më shumë njerëz, na vizitonin, na ngushëllonin dhe pak habiteshim. Mirëpo tani njerëzit janë rralluar dhe koxha shumë mu ka kthy mërzia”, thotë baca Osman, babai i Mirsad Ndrecajt të vrarë në Kumanovë, të cilin e vizituam të dielën, tre muaj pas konfliktit të Kumanovës.

Pasi përshëndetet me ne dhe pasi i shprehim ngushëllime për humbjen e djalit, ulet në divan. Nuk pranon të ulet në krye të dhomës, siç e kërkon tradita për burrin më të moshuar, por pak më poshtë, aty ku është fotografia Mirsadit të veshur me uniformën e UÇK-së.

“Për dy vite më ndodhën dy vdekje të mëdha. Para dy viteve e gjysmë më vdiq djali i madh Enveri. Ishte ndër arkitektët më të mirë në Gjakovë e Kosovë. Vdiq nga kanceri. Ishte i ri, por i kemi dalë hakut. E kemi pas për shërim në të gjitha spitalet e njohura të botës: në Turqi, në Gjermani, në Amerikë, kahmos nëpër botë. Nuk i doli ilaç, aq e kishte pas të shkruar. Mirëpo për Mirsadin po mërzitem më shumë. Ma vranë në tradhti. Që nga dita kur i dënuan gjashtë shqiptarët në rastin ‘Monstra’ ai u shkëput nga jeta. Nuk ishte më Mirsadi i mëparshëm. Pa ndërpre përsëriste se i dënuan njerëzit e pafajshëm. Nuk mund të bëhej rehat”, thotë baca Osman.

Baca Osman: Ja si më vrau BDI për së dyti?

Djemtë e tij tregojnë se gjendja i është përkeqësuar pas vrasjes së Mirsadit, e posaçërisht pasi në shtëpi e kanë vizituar në mënyrë tinëzare për ngushëllime përfaqësues të BDI-së.

“Një ditë, kur djemtë e mi kishin shkuar për ngushëllime te familja e një shoku të tyre , erdhi një djalë me një shok tjetër. Kish pas bajagi muhabet. Foli për çështjen kombëtare, për patriotizëm, për rene burrnie e për çka jo. Të nesërmen kur i lëshova lajmet në televizor po e shof të njëjtin djalë  në Kumanovë duke i vlerësua dëmet. Aty e kuptova që është Ejup Halimi i BDI-së. Atë natë më hypi shtypja dhe më dërguan menjëherë në spital. Desh vdiqa nga nervoza. Mjeku më tha të rri 14 ditë në spital, por nuk ndejta më shumë se pesë ditë”.

Pasojat nga kjo traumë e shkaktuar vërehen qartë te baci Osman. Ai gjatë tërë kohës sa flet, e përdor pompën e oksigjenit për frymëmarrje. Deri sa bisedojmë me 75 vjeçarin shtatlartë, kemi përshtypje se po vërejmë në çdo çast se si po largohet nga trupi i tij fuqia e deridjeshme e muratorit, që me mjeshtërinë e tij kishte ndërtuar dhjetëra shtëpi në Gjakovë e gjetiu. Tani i dridhen edhe duart e këmbët, por lotët nuk i pikojnë. Këtë vizitë tinëzare, ai e konsideron si vrasje të dytë.

“Kurrë nuk ja bëj hallall. BDI më vrau dy herë. Njëherë në Kumanovë dhe njëherë në Gjakovë, kur më erdhën në shpi në mënyrë tinëzare. Po ta kisha njohur kurrë nuk do ta pranoja në shtëpi. Mirëpo si ta njoh kur brenda ditës vinin edhe një mijë njerëz për ngushëllime. Ai nuk u prezantua fare”, tregon baci Osman.

Biseda e fundit e Mirsadit me vajzën: Mos qaj bija ime, duhet të krenohesh!

Baca Osman thotë se është i lodhur edhe nga dezinformatat dhe spekulimet e ndryshme që paraqiten nëpër mediume lidhur me djalin e tij. Për këtë arsye ka heshtur plotë tre muaj duke refuzuar dhjetëra e dhjetëra mediume. Pranon të flasë për “Lajm” për herë të parë që nga 9 maji, dita kur kanë filluar luftimet në Kumanovë.

“Si mund të thonë mediumet se ai shkoi të luftojë për para. Për sa para dikush mund të pranojë të vritet dhe të lë dy jetima – djalin 7 vjet, vajzën 9 vjet dhe gruan e vejë ende pa i mbushur 30 vjet? Ai u vra për atdhe dhe për të drejtat e shqiptarëve. Sot e këtë ditë e dëgjoj zërin e vajzës së tij, e cila natën kur luftohej, duke qarë me sa zë që kishte e luste në telefon: ‘O bab, për riza të Zotit kthehu, mos na le jetima. A po e shesh se ju kanë tradhtu politikanët’. I dëgjonte edhe ajo bisedat tona. E dinte që janë tradhtuar. Mirsadi përgjigjej qetë edhe pse ushtima e granatave dëgjohej në të gjitha anët: ‘Jo bija ime. Babi është betuar se do të vdesë në luftë për popullin shqiptar, që të rritesh ti në liri, bashkë me vëllaun dhe gjithë fëmijët shqiptarë. Bëhu e fortë, nuk duhet të mërzitesh e as të qash, por duhet të krenohesh me babin”, rrëfen baci Osman dhe psherëtin: “Ma vranë djalin pasi e arrestuan. E vranë në tradhti”.

I thyer më shumë nga tradhtia, se sa nga humbja e djalit, baca Osman thotë se nuk mund të bëjë gjumë me netë të tëra. “Gjithë natën sillem rreth shtëpisë dhe mendoj si nuk u mblodhën 200 shqiptarë të përkrahin bile me protesta Mirsadin e shokët e tij”.

 Ylber Ndrecaj: Shërbimi maqedonas ka dashur t’a likuidojë Mirsadin që nga viti 2005

Për shkak të spekulimeve dhe dezinformatave, familjarët e Mirsadit bëjnë apel te mediat që për çdo çyshtje dhe informacion lidhur me Mirsadin të bisedojnë vetëm me vëllezërit dhe babain e tyre. “Janë paraqitur lloj-lloj spekulime se gjoja ne jemi duke u përgatitë ndonjë aksion ose ndonjë problem. Kjo nuk është e vërtetë. Ne jemi duke pritur vetëm që të ndriçohen rrethanat se si u vra Mirsadi. Ende nuk kemi asnjë informacion prej institucioneve. Me mbiemër Ndrecaj ka shumë njerëz në Gjakovë. Prandaj apelojmë te mediat dhe te të gjithë që për çështje që kanë të bëjnë lidhur me Mirsadin të kontaktojnë vetëm me babanë tonë Osman Ndrecajn dhe me neve si vëllezër të tij, Ylberin, Skënderin dhe Naser Ndrecaj”, thotë vëllai i Mirsadit, Ylberi. Dyshimet se Mirsadi është vra pasi është arrestuar janë të fuqishme. “Kemi dëgjuar se Komandant Malisheva ka thënë se nga shtëpia ku është sulmuar e kanë nxjerrë Mirsadi dhe Begu. Siç ka treguar, Mirsadi ka qenë i plagosur lehtë në krah. Në atë moment ai është alivanosur nga plagët e marra dhe nuk i ka pa më, sepse alivanosja i ka kaluar në stacion policor”, thotë Ylberi.

Ai shton se Mirsadi është përcjellë nga shërbimi sekret maqedonas që nga viti 2005. “Në atë kohë punonte sigurim te Benafi në Ferizaj. Më tha njëherë se i ka vërejtur njerëzit e shërbimit sekret maqedonas duke e përcjellë po se s’çan kokën. E pat blerë në atë kohë një 16-she (revole) të re dhe thoshte: Sa ta kem këtë me vete se kam gajle. Lë të më afrohen kur të donë, se ua tregoj qejfin”.

Edhe ai është i revoltuar nga shkrimet e mediave se gjoja Mirsadi ka shkuar të luftojë për para.

“Mirsadi e kish një restorant. Shpesh ndodhte të vijë në dugajë dhe të marrë fitimin e ditës ose krejt javës. Dëgjonte për ndonjë skamnor dhe i blinte miell, dru për ngrohje, ose diçka tjetër që kishin nevojë. Më shumë është kujdesur për skamnorët dhe nevojtarët se sa për veten dhe familjen  e vetë. Gjithë shoçnia e kanë njohur si njeri humanitar”, rrëfen Ylberi.

 I lidhur me Sllupçanin dhe Iliridën

“Ëndrra e Mirsadit ishte që shqiptarët e Iliridës një ditë të jenë të lirë dhe të barabartë. Për këtë arsye edhe vajzën e tij e pagëzoi me emrin Ilirida, kurse djalin Ilirjan. Ishte jashtëzakonish i lidhur me fshatin Sllupçan, simbolin e luftës së vitit 2001. As në shtëpi të vet nuk ndihej më mirë dhe më i qetë se në Sllupçan”, thotë vëllai i Mirsadit, Ylberi, duke na treguar albumet me fotografitë e Mirsadit të bëra në luftën e Kosovës, Luginës dhe në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni./Gazeta Lajm