AVUK nis vaksinimin e 15 mijë dhive dhe deleve në Malishevë

Për herë të parë në Komunën e Malishevës, ka filluar vaksinimi i kafshëve të imëta, deleve dhe dhive, për sëmundjen e klostrideve, ku përfshihen një varg sëmundjesh dhe përmes kësaj parandalohet bartja e infeksioneve nga kafshët tek njeriu.

Në këtë vaksinimin do të përfshihen 15 mijë krerë dele dhe dhi, ndërsa realizohet nga AVUK-u dhe mbështetet nga Komuna e Malishevës.

“Kjo fushatë e vaksinimit, që ka filluar këtë javë dhe pritet të përfundoj deri në fund javës, ka rëndësi të madhe, pasi përmes këtij vaksinimi për sëmundjen e klostrideve, ku përfshihen sëmundjet si këmbëzeza, edemen malinje, sëmundjen e zezë, gangrenën gazoze, clostridum tetanin dhe dizenterinë e qengjave,  pas vaksinimit, kafshët janë të sigurta, sikur delet, ashtu edhe qengjat dhe fryti në delet e mbarësuara, apo dhitë dhe kecat”, ka thënë drejtori për bujqësi, Murat Hoxha gjatë monitorimit të kësaj fushate të vaksinimit.

Fermeri Granit Thaçi nga fshati Mirushë, delet e të cilit ishin duke u vaksinuar, është ndarë shumë i kënaqur, pasi kjo jo vetëm që bëhet për herë të parë, por përmes kësaj mbrohen delet e tij nga ngordhja apo epidemitë e mundshme tek delet, sikur edhe shëndeti i njeriut, pasi vaksinimit e ka tregun e sigurt për delet e tij.

Sipas të dhënave në Drejtorinë për Bujqësi, në Komunën e Malishevës, aktualisht janë rreth 15 mijë krerë dele dhe dhi, ndërsa në të kaluar, në disa raste kanë hasur në këto sëmundje, ku është dashur të bëhet asgjësimi i këtyre kafshëve, pasi sëmundjet, përveç që i kanë prekur kafshët, janë bartur edhe tek njeriu.

Po ashtu, sipas drejtorit të bujqësisë, Murat Hoxha, në bashkëpunim me AVUK-un, pritet të realizohen edhe dy fushata apo projekte tjera, për vaksinimin e kafshëve, për mbrojtje nga sëmundjet, siç është bruceloza dhe sëmundjet tjera.