Avdullah Hoti i përgjigjet AKR-së për largimin nga koalicioni LAA

Koalicioni ndërmjet LDK-së dhe AKR-së vazhdon të jetë i fuqishëm që nga koha e lidhjes së tij. Ky është koalicion parimor dhe si i tillë është lidhur bazuar në parimet e dy subjekteve politike.

Nuk e di nëse do të mbahet më datën 7 shtator seanca konstituive, por nëse mbahet do të shqyrtojmë këtë çështje. – Avdullah Hoti

Pavarësisht asaj që AKR ka vendosur të shqyrtojë mundësinë e largimit nga koalicioni LAA, në LDK vazhdojnë të mendojnë se ky koalicion është i fuqishëm ashtu sikurse nga dita e parë e lidhjes së tij.

Këtë mendim e ka edhe i nominuari i LAA-së për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit, Avdullah Hoti. Ai ka pohuar për portalin “Gazeta Blic” se LDK ka bashkëpunim të ngushtë AKR-në brenda koalicionit LAA.

“Koalicioni ndërmjet LDK-së dhe AKR-së vazhdon të jetë i fuqishëm që nga koha e lidhjes së tij. Ky është koalicion parimor dhe si i tillë është lidhur bazuar në parimet e dy subjekteve politike”, tha ai.

Ndërkaq i pyetur rreth paralajmërimit të AKR-së se nëse LDK nuk i përgjigjet pozitivisht ftesës së VV-së për koalicion deri më datën 7 shtator, datë kjo kur koalicioni PAN pritet të propozojë vazhdimin e seancës konstituive, AKR do të lë largohet nga koalicioni për të shqyrtuar mundësitë tjera që i ka para vetës, Hoti ka thënë se do të shqyrtojnë këtë çështje duke vendosur dilema nëse PAN-i do të jetë i gatshëm për seancë në këtë javë.
“Nuk e di nëse do të mbahet më datën 7 shtator seanca konstituive, por nëse mbahet do të shqyrtojmë këtë çështje”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër nënkryetari i AKR-së Agim Bahtiri, ka deklaruar sot për “Gazeta Blic” se janë të zhgënjyer me liderin e LDK-së Isa Mustafa, dhe largimin nga koalicioni LAA e sheh si të pakthyeshëm.