ASK shpalli sot rezultatet përfundimtare të Regjistrimit të Bujqësisë

Ask, bujqesi

Kosovarët pa komunat veriore shfrytëzojnë 512 mijë hektarë tokë për aktivitete bujqësore.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) shpalli sot rezultatet përfundimtare të Regjistrimit të Bujqësisë 2014, ndërsa sipas kryeshefit ekzekutiv të ASK-së Isa Krasniqi ky regjistrim nuk u zhvillua në katër komunat me shumicë serbe të veriut.

Krasniqi gjatë konferencës ku prezantoi të dhënat e regjistrimit të bujqësisë kosovare, tha se në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin-Potok dhe Leposaviq qytetarët refuzuan të marrin pjesë.

Ai tregoi se sa hektarë shfrytëzohen për bujqësi në Kosovë.

“Ekonomitë bujqësore në Kosovë shfrytëzojnë gjithsej 512.000 hektarë tokë në pronësi dhe të marrë me qira nga të tjerët, mesatarisht ato menaxhojnë 3.9 hektarë tokë,“ tha Krasniqi duke iu referuar rezultateve të regjistrimit.

Sipas regjistrimit, ekonomitë bujqësore shfrytëzojnë 80.8 për qind të tokës që mund të përdoret për këtë qëllim.

Me bujqësi në Kosovë sipas regjistrimit merren 362 mijë e 700 persona, ndërsa ata kanë 261 mijë e 689 gjedhe, 183 mijë e 584 dele dhe 24 mijë e 430 dhi.

Krasniqi tha se në Kosovë më së shumti mbillet grurë, ndërsa pjesa më e madhe e tokës bujqësore përbëhet nga livadhet dhe kullotat.

Nga pemët 56 për qind e plantacioneve kultivojnë mollë, ndërsa 19.9 për qind e tyre kumbulla.

Christof Stock nga Zyra e BE-së në Kosovë tha se ASK-ja gjatë regjistrimit të bujqësisë ndoqi standardet evropiane.

“Për dhjetë vjetët e ardhshme këto rezultate mundësojnë planifikim më të mirë në fushën e agrokulturës, infrastrukturës dhe politikave regjionale,” tha Stock.

Drejtuesi i ASK-së Krasniqi tregoi edhe çmimin e regjistrimit. Tha se ai ka kushtuar 4 milionë e 700 mijë euro.

Regjistrimi i Bujqesisë është realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rrural dhe Komisionet Komunale të Regjistrimit, ndërsa është financuar nga Fondi i Mirëbesimit, Zyra e BE-së dhe nga donatorë të tjerë ndërkombëtarë.