Arrestohet Kallashi, dhe 4 kolegë të saj

kallashiPesë persona janë arrestuar në Prizren, pas një bastisje që është kryer në lokalin e natës “Kobra City” në Landovicë. Në mesin e të arrestuarve është Donjeta Kosumi, e njohur si “Kallashi”.

Rastin për KTV-në e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Prizren, Hazir Berisha, i cili ka thënë se bastisjes i ka paraprirë një rrahje, që kishte ndodhur para disa ditësh, në ambientet e një objekti afarist, ku të dyshuarit kishin rrahur 4 persona.

Zëdhënësi Haziri, i ka thënë KTV-së se njëri nga të dyshuarit është i njohur për policinë e Kosovës, pasi që dyshohet të jetë i përfshirë në më shumë se 130 vepra të ndryshme të kundërligjshme.

Gjatë bastisjes janë gjetur 3 pistoleta, një armë gjysmë-automatike, një sasi e substancave narkotike dhe prova të tjera materiale. Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar, derisa në vendin e ngjarjes ka qenë edhe prokurori , bashkë me drejtorin rajonal të Policisë për Prizren.