Warning: session_start(): Cannot send session cookie - headers already sent by (output started at /home/besnikzki/webapps/malishevapresswp2/index.php:52) in /home/besnikzki/webapps/malishevapresswp2/wp-content/plugins/wcp-openweather/agp-core/classes/persistence/session/Agp_SessionAbstract.class.php on line 10

Warning: session_start(): Cannot send session cache limiter - headers already sent (output started at /home/besnikzki/webapps/malishevapresswp2/index.php:52) in /home/besnikzki/webapps/malishevapresswp2/wp-content/plugins/wcp-openweather/agp-core/classes/persistence/session/Agp_SessionAbstract.class.php on line 10

Warning: Cannot modify header information - headers already sent by (output started at /home/besnikzki/webapps/malishevapresswp2/index.php:52) in /home/besnikzki/webapps/malishevapresswp2/wp-content/plugins/wcp-openweather/classes/UserOptions.class.php on line 90
Analizë e Periskopit: Nisma si PDK-ja – Malisheva Press

Analizë e Periskopit: Nisma si PDK-ja

Zhvillimi i fundit në partinë e Fatmir Limajt, ishte ndryshimi i emrit. Nga “Nisma për Kosovën” ajo u bë “Nisma Socialdemokrate”. Ajo edhe më parë e kishte deklaruar profilin e saj ideologjik si socialdemokrat, por nuk u mor aq seriozisht, dhe mbase këtu u ndez nevoja për një identifikim edhe më të fortë me socialdemokracinë, përmes vetë emrit.

Por, një problem i pazgjidhshëm është e kaluara e kësaj partie. Themeluesit e Nismës Socialdemokrate ishin themelues edhe të Partisë Demokratike të Kosovës, e profilizuar si parti e qendrës së djathtë. Madje, ata qëndruan në atë parti për më shumë se një dekadë. Dhe zor se kjo e bën serioz programin e saj ekonomik në sytë e qytetarëve.

I pyetur se çka mendonte për diktatorin komunist Enver Hoxha, kreu i Këshillit Kombëtar të partisë në fjalë, Jakup Krasniqi, kishte thënë vetëm fjalë të mira duke e shokuar opinionin publik. Kjo mund të shihet si një ndër belbëzimet e para majtiste të Nismës, por në fakt është belbëzim dashurie për kombëtarizmin e tij, pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën. Por kjo tregon edhe një gjë tjetër: se edhe te Nisma, njësoj si te PDK-ja, orientimi ideologjik nuk ka ndonjëfarë rëndësie.

Sidoqoftë, Nisma Socialdemokrate duhet çmuar për punën që po bën në terren – dhe prishjen ose zvogëlimin që po i bën degëve të Partisë Demokratike të Kosovës.

Puna e vazhdueshme nëpër degë dhe klientelizmi i stilit ‘Pronto’ përmes hises së marrë në Qeverinë Haradinaj, bëjnë që partia e udhëhequr nga Limaj të mos e ketë të zorshme kalimin e pragut në zgjedhjet e ardhshme.

Ajo po bën investime edhe në nivelin reprezentativ, deri tash, duke i afruar në parti dy ish-gazetarë: Resul Sinanin, ish-moderator në RTK dhe Kastriot Sylejmani, ish-redaktor në KTV. Megjithatë, edhe nëse i merr dhjetëra gazetarë të tjerë në parti, është e zorshme të mendohet që kjo parti do të joshë qytetarët e pavendosur ose do të marrë votues nga LDK-ja e Vetëvendosja.

Nisma aktualisht është duke luftuar në dy fronte me dy kundërshtarë shumë më të fortë: në terren, me PDK-në e cila ka pushtet dukshëm më të madh. Ndërkohë, në nivelin përfaqësimor për socialdemokracinë, me Vetëvendosjen, e cila e artikulon më mirë [ani pse, ose ani që, dikurs primar e ka nacionalizmin].

A do të arrijë Nisma të mbijetojë në skenën politike në Kosovë? Ajo mund të mbijetojë edhe për katër vitet e ardhshme, por në planet afatgjatë, e humbur në të dyja frontet që i përmendëm më lart, e dorëzuar, ajo do të detyrohet të shkrihet ose në AAK, ose në Lëvizjen Vetëvendosje – shkaku i karakterit nacionalist të tyre.

Nisma Socialdemokrate duhet të bëj përpjekje maksimale në luftën e saj në terren kundër PDK-së, në mënyrë që t’ia dërrmojë klientelën dhe ta detyrojë që si parti e cila e ka dëmtuar shumë vendin përmes mënyrës së organizimit, të rimendohet dhe ristrukturohet. Kjo është e mira më e madhe që kjo parti mund t’ia bëj vendit.

E keqja më e madhe është nëse shkrihet në partinë aktuale të kryeministrit Haradinaj, AAK, e cila për nga forma qeverisëse është edhe më e keqe se PDK-ja. Në të mirë të vendit do të ishte një bashkim i mundshëm me njërën nga dy partitë e tjera socialdemokrate, Vetëvendosjen ose PSD-në, në varësi se cila ka mundësinë më të madhe për të rrëzuar pushtetin – i cili duket i palëkundshëm për LDK-në e PDK-në edhe për dhjetë vitet e ardhshme.

Njësoj si për AAK-në, asgjë nuk mund të thuhet as për Nismën sa i përket demokracisë së brendshme. Ajo është e pamundur.