Albin Kurti me deklaratë tronditëse: Bandat e SHIK-ut e të Gruevskit janë bashkë, e shkaktuan edhe Kumanovën (Video)

Deputeti Albin Kurti ka dhënë disa deklarime ekskluzive pas situatës së krijuar në Maqedoni.

Ai, në një konferencë të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje sot, ka thënë se reagimet e buta të presidentit Hashim Thaçi e kryekuvendarit Kadri Veseli ndaj zhvillimeve anti-shqiptare në Maqedoni, vinë si pasojë e disa lidhjeve midis bandave të kryeministrit Nikola Gruevski e eksponentëve të SHIK-ut.

Madje, Kurti tha se bandat e SHIK-ut e të Gruevskit ngritën kurthin në tragjedinë e Kumanovës, shkruan Periskopi.

“Reagimet e buta, siç kanë treguar edhe prej disa përgjimeve që u shfaqën, edhe hezitimeve për t’i shfaqur përgjimet e tjera… ka ca lidhje midis bandave fashiste të Gruevskit në njërën anë dhe eksponentëve të ndryshëm të SHIK-ut në anën tjetër, që si duket e kanë përgatitur një lloj kurthe edhe në Kumanovë kur ndodhi tragjedia atje”, ka thënë Kurti.

“Me fjalë tjera, duket se kapja e shtetit të Maqedonisë nga Gruevski, me qasjen e tij anti-shqiptare ka pasur edhe miratimin në Prishtinë”, vazhdoi ai.

Kurti tha se ndaj situatës së krijuar në Maqedoni shqiptarët duhet të reagojnë të bashkuar dhe jo të ndarë.

Ai u shpreh i shqetësuar, për siç tha ai, shovinizmin në rritje të maqedonasve ndaj shqiptarëve. /Periskopi