Alarmante: Pjesa dërmuese e tokës bujqësore në Kosovë është lënë djerrinë

Varshmëria e kosovarëve për bukë nga Serbia po rritet.

Ata po heqin dorë nga mbjellja e sipërfaqeve me grurë, pavarësisht subvencioneve nga Qeveria. Ndërsa shteti nga i cili Kosova u nda me luftë vazhdon të jetë eksportuesi më i madh i miellit të bukës për sofrat e shqiptarëve.

Sipas drejtorit të Departamentit të Politikave Bujqësore dhe Tregtisë në Ministrinë e Bujqësisë, Isuf Cikaqit në tetor të 2017-ës janë mbjellë 74,300 hektar me grurë, shkruan Infokusi.com.

Sipërfaqe e ngjashme e tokës bujqësore është mbjellë edhe gjatë 2016-ës.

Por, gjatë këtij viti janë mbjellë 71,900 hektarë më grurë.

Lexo edhe: Mashtrimi i madh| Serbia po e mbush Kosovën me miell “Made in BIH”

Sipas të dhënave të Departamentit të Politikave Bujqësore dhe Tregtisë dërguar Infokusit, sipërfaqe më e madhe e tokës me grurë është mbjellë në vitet 2013, 2014 e 2015, ndërsa shihet se nga viti në vit ajo po zvogëlohet.

‘Sipërfaqja e mbjellë me grurë ndryshon nga viti ne vite si për grurin e po ashtu edhe për kulturat tjera bujqësore te cilat janë kultura një vjeçare”, ka thënë Cikaqi.

Sipas statistikave ne 5 vitet e fundit kjo është sipërfaqja e tokës bujqësore te mbjellë me grurë:

2013- 85,000 ha,

2014- 84,000 ha,

2015- 84,000 ha,

2016- 71,900 ha

2017- 74,300 ha

E Kosova ka gjithsej 415 mijë hektarë tokë bujqësore prej të cilës tokë e punueshme është 45 për qind ose 187 mijë hektar.

‘Sipas të dhënave të Anketës së Ekonomive Bujqësore të vitit 2016 (publikimi I fundit nga ASK), gjithsej sipërfaqe e shfrytëzuar e tokës bujqësore është 415 mijë hektarë, prej të cilës pjesa më e madhe i përket livadheve dhe kullosave (përfshirë tokën e përbashkët) 218 mijë ha ose (52.6 %), ndërsa tokë e punueshme (ara) 187 mijë ha ose (45.0 %)’, ka thënë Cikaqi për Infokusin.

Numri i kosovarëve që merren me bujqësi bazuar në të dhënat e regjistrimit të bujqësisë është 362.700 persona./Infokusi/ (Agnesa Çitaku)