Ahmeti thotë se Kosova dhe Serbia janë shtete jonormale

shpendi

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në një intervistë të gjatë për portalin serb të Mitrovicës së veriut, “Kossev”, ka folur edhe politikat e Qeverisë qendrore të të dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë, por edhe për qeverisjen lokale të Prishtinës.

Sipas Ahmetit, Kosova dhe Serbia janë shtete jonormale pasur parasysh se Serbia, edhe pse në Kushtetutën e saj e cilëson Kosovën territor të vetin, nuk e kontrollon atë. Edhe Kosova, si shtet i pavarur, nuk ka sovranitet të plotë ndaj territorit të saj.

“Serbia dhe Kosova janë dy shtete jonormale. Serbia në Kushtetutën e saj e ka Kosovën, kurse realisht nuk e kontrollon atë territor. Kosova është e pavarur, por realisht nuk ka sovranitet të qindpërqindtë. Për këtë arsye ekziston Vetëvendosja si lëvizje e cila lufton që Kosova ta fitojë atë sovranitet të plotë. Në këtë kuptim, mendoj se hapi i parë dhe më i rëndësishëm do të ishte që dikush nga qeveria e Serbisë të thoshte se kanë gabuar në të ’90-at në Kosovë, kanë përdorur ushtrinë, formacionet ushtarake dhe kjo nuk është dashur të ndodhte”, ka thënë Ahmeti për portalin serb në Mitrovicë, “Kossev”, transmeton Koha.net.

Ai ka shtuar se Vetëvendosje në asnjë rast nuk përkrah bashkimin e tokave shqiptare dhe thekson se ato që komentohen se VV është për bashkimin e të gjithë popullit shqiptar, nuk janë të vërteta.

Megjithatë, Ahmeti thotë se zgjidhja më e mirë për rajonin do të ishte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.

“…për shkak se në Ballkan do të duhej të ekzistonte balanci për të pasur paqe. Asnjë shtet i tokën tonë nuk mund të jetë aq e fortë sa t’ia kenë frikën të gjithë. Kosova e ka këtë frikë nga Serbia”, ka theksuar Ahmeti, transmeton Koha.net

Në pyetjen se çfarë ka bërë si kryetar i Komunës së Prishtinës që ky qytet t’i kthejë të zhvendosurit serbë, Ahmeti ka thënë se serbët ndoshta e kanë më mirë në Serbi dhe për këtë arsye të mos kthehen.

“Tani studentët serbë që nuk janë nga Kosova jetojnë në Prishtinë. Kemi popullsi të re. Prishtina është qytet i hapur. Programi ynë ka të bëjë edhe me të drejtat për pakica – të mësohet gjuha, serbët të mësojnë shqipen e shqiptarët ta mësojnë serbishten”, ka thënë Ahmeti për Kossev.