Afera autostrada dhe tentimi i ish-ambasadorit Dell për ta shpëtuar Limajn nga gjykimi për korrupsion

Christopher Dell, një diplomat karriere i nominuar nga Barack Obama për të përfaqësuar SHBA-të në Prishtinë, është punësuar nga Bechtel Corporation pasi e ka ndihmuar kompaninë që të fitoj kontratën për të ndërtuar autostradën në Kosovë.
Dell mori rolin si drejtor i “Bechtel-it” në shtetin afrikan të Mozambikut vitin e kaluar, disa muaj pas përfundimit të karierrës tri dekadëshe në Departamentin e Shtetit.

Punësimi i Dellit në Bechtel, kompania më e madhe amerikane në inxhiniering dhe ndërtim, ka nxitur debate për projektin polemizues të ndërtimit të rrugës, e quajtur “Rruga e Kombit”.

Pieter Feith, ishte diplomat i lartë i BE-së në Kosovë kur ishte siguruar kontrata, ka kritikuar mënyrën se si ambasadori amerikan ka ndihmuar për marrëveshje dhe po ashtu ka bërë thirrje për hetim.

Ai ka akuzuar Dellin për fshehje të informatave për kontratën e Bechtelit, dhe që ka lobuar në qeverinë e Kosovës për tu pajtuar, siç e përshkruan ai, një marrëveshje të keqe me një kompani të SHBA-së dhe se me këtë ka vendosur ndikim të pamasë në buxhetin e vogël të Kosovës.

Është një rutinë për ambasadat perëndimore për të shtyrë interesat e biznesit të kompanive të vendeve të tyre.

Por është e pazakonshme për një ish-diplomat të fitoj një vend pune me një korporatë të madhe pas shfrytëzimit të ndikimit të tij për të siguruar kontratë të majme qeveritare.

Pas emërimit të tij si ambasador në vitin 2009, Dell kishte ndikim të madh në Kosovë, ku SHBA-të shihen gjerësisht si një fuqi mbikqyrëse për shkak të rolit të saj në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Ndërkohë Peter Feith, si Përfaqësues Civil Ndërkombëtar në Kosovë ndërmjet viteve 2008 dhe 2012, ishte një figurë tjetër kryesore në Kosovë, të cilit i ishte besuar pushtet i gjërë nga BE-ja dhe SHBA-ja, për të mbikëqyrur Kosovën pas deklarimit të pavarësisë se saj më 2008.

Për shumë vite, Feith dhe Dell kanë shërbyer krahpërkrah, si dy zyrtarë të lartë ndërkombëtarë që mbikqyrnin fushatën e Kosovës për njohje si një shtet sovran.

Në kohën kur Dell inkurajonte qeverinë e Kosovës për të nënshkruar kontratën e autostradës, Feith tha se kishte shqetësim serioz për dhënien e kontratës së madhe një konzorciumi të përbërë nga Bechtel dhe partneri i saj turk, Enka.

Feith besonte se marrëveshja rrezikonte financat e qeverisë së Kosovës.

Feith tha se ishte përplasur me Dell për logjikën e ndërmarrjes së një projekti infrastrukturor të madh nga një vend i varfër dhe i sapo lindur, dhe në vend të kësaj arsyetonte se paratë duheshin të shpenzoheshin nëse preket shkalla e papunësisë në Kosovë, e cila ishte 40 për qind.

Feith po ashtu kishte kërkuar që të shikonte detajet e kontratës, që besonte se ishte nën mandatin e tij, por çasja i ishte refuzuar nga Ambasada e SHBA-së.

“Informatat mbaheshin të fshehura, dhe papritmas na është prezantuar me një fait accompli [fakt i kryer] të kësaj kontrate- të qenurit e kryer dhe të qenurit obligim për buxhetin”, ai tha.

Kontrata me Bechtel-Enka ishte nënshkruar në Prill 2010, përkundër shqetësimeve të ngritura nga FMN-ja, diplomatët e BE-së, Banka Botërore, Feithi dhe këshilltarit ligjor të vet qeverisë së Kosovës.

Bechtel mbrojti punësimin e Dellit dhe thanë se çdo sugjerim se punësimi i tij ka qenë i paduhur është “i padrejtë dhe fyes”.

Por Andrea Capussela, i cili kishte shërbyer si kryesues i departamentit të ekonomisë në ICO dhe ishte zë kritik për skemën e ndërtimit të rrugës, tha: “Punësimi i ambasadorit Dell në Bechtel ngrit më shumë një pikëpyetje të madhe për tërë projektin”.

“Kjo kontratë ishte iracionale për Kosovën dhe i ka shkaktuar dëm të konsiderueshme”, shtoi ai. “Departamenti i Shtetit do të bëntë mire për të hetuar këtë”.

Feith ka refuzuar të komentoj për punësimin e Dellit në Bechtel. Megjithatë ai tha se një hetim i gjërë për ndershmërinë e marrëveshjes së autostradës është i garantuar, edhe pse nuk specifikoj se cila organizatë do të duhet të kryente një hetim të tillë.

“Ne kemi qenë të përfshirë në luftën kundër korrupsionit në Kosovë, dhe çdo gjë që mund të ndihmojë për të qartësuar, shpjegoj ose të sigurojë transparencën në lidhje me atë që ka ndodhur është e dobishme për të ardhmen e shtetit të ri,” tha ai. “Nëse ka një hetim, unë do ta mirëpresë atë.”

Qeveria e Prishtinës tha se projekti i ndërtimit të rrugës ka lidhur Shqipërinë veriore me Kosovën, duke zëvendësuar rrugët malore me një autostradë me katër korsi dhe do të jetë një injektim ekonomik për rajonin. Megjithatë, kritikët theksojnë se kostoja e saj është dyfishuar që nga vlerësimi fillestar.

Autostada- nën hetime nga EULEX

Projekti i autostradës ishte kompletuar vitin e kaluar, por ishte zhytur në akuza për korrupsion në të dyja anët e kufirit. Marrëveshja e autostradës në anën e Kosovës aktualisht është nën hetime nga EULEX-i.

Blerim Krasniqi, zëdhënës i EULEX, tha se misioni nuk mund të komentojë për raste që mund të jenë nën hetime.

Por Gazeta Jeta në Kosova ka raportuar në qershor të vitit të kaluar se EULEX atëherë kishte nisur hetimin.

Po ashtu javën e kaluar, qeveria e Shqipërisë njoftoi se po nis një hetim të ri të korrupsionit në financimin e pjesës së saj për autostradën.

Ish minsitri i transportit, Lulzim Basha më herët është liruar nga akuzat “abuzimi i pushtetit” kur rasti kundër tij ishte bllokuar nga gjykata supreme për shkak të hollësirave tekniko- ligjore. Basha ka mohuar të gjitha akuzat.

Megjithatë, nuk ka asnjë dëshmi që sugjeron se Bechtel apo Dell janë të implikuar në hetimet për korrupsion, detajet e së cilës janë konfidenciale.

Dell, i cili kishte pak besim në hetimin e BE-së kundër ish ministrit të transportitm, Fatmir Limaj, ka bërë përpjekje që të largojë ministrin nga Kosova me një post diplomatik në New York apo Washington.

Feith tha se besonte që kjo lëvizje jepte ‘dalje të pasme’ për një ministër të dyshuar për korrupsion, duke bllokuar hetimin për korrupsion. Dell, në anën tjetër, është kuptuar se besonte se nuk ka prova të mjaftueshme për të akuzuar Fatmir Limajn. Ai besonte se largimi i qetë i Limajt nga Kosova ishte një zgjidhje më pragmatike dhe efektive.

“Mendova se kjo ishte një ide e keqe, dhe ia kam thënë kështu”, tha Feith për bisedën me Dellin. “Kam menduar se kjo do të forcojë përshtypjen e mosndëshkimit dhe nuk do ti ndihmojë përpjekjeve tona për të luftuar korrupsionin.”

Në fund, propozimi i Dell për të larguar Limajn nga Kosova kurrë nuk u miratua. Ministri i transportit më vonë u arrestua, dhe ai është përballur me një seri të akuzave për krime të luftës dhe korrupsionit, por ende nuk është dënuar për ndonjë nga akuzat.

Fatmir Limaj, i kontaktuar nëpërmjet Endrit Shalës, ende nuk ka komentuar deklarimet e Feith.

Bechteli fillimisht ka vënë kontakt me Dell në vitin 2012 për punësimin e tij të mundshëm për kompaninë. Kompania ka konfirmuar se në kohën kur ka vënë kontakt ai ishte ende ambasador i SHBA-së në Kosovë.Sipas Bechtelit, Dell “ka raportuar menjëherë bisedën” me departamentin e shtetit, duke i respektuar rregullat e qeverisë së ShBA-së, dhe hoqi dorë nga çdo çështje në lidhje me Bechtel-in.

Pas largimit nga Kosova, Dell-it i dhanë post në Gjermani për të punuar për ushtrinë amerikane në Departamentin e Komandës për Afrikën si zëvendëskomandant për aktivitetet civilo-ushtarake. Ai lëshoi këtë punë në tetor, duke marrë rol të ri në “Bechtel” një muaj më vonë.

Zëdhënësja e “Bechtel-it” Michelle Michael tha: “Njohuria dhe përvoja e tij e madhe në rajon është një përshtatje ideale me punën tonë aktuale dhe mundësitë në të ardhmen këtu”, shtoi ajo.

Qeveria e Kosovës ka shpërblyer Bechtelin me një kontratë tjetër, me vlerë prej 600 milionë euro, për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup.

Paul Lewis, Lawrence Marzouk, Petrit Çollaku, Erjona Rusi, Besar Likmeta BIRN Washington, Prishtinë, Tiranë

Hulumtimi është bërë në vitin 2014