AAK komenton afrimin e LDK-së me VV-në

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thënë se tentimi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për të formuar një platformë qeverisëse është i pakuptueshëm.

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj ka thënë sot se LDK dhe VV “duhet t’i kuptojnë rregullat e lojës”, e të cilat sipas Nitajt, janë se partia më e madhe politike ka të drejtën për të formuar qeverinë e para.

“Realisht nuk e kuptoj LDK-në dhe VV-në. Ky vend i ka disa korniza dhe disa rregulla. Sipas interpretimeve të Gjykatës Kushtetuese, njeriu i kryetarit të Kuvendit i takon forcës më të madhe politike”, ka thënë Nitaj për Klan Kosovën, njofton Insajderi.

Nitaj ka thënë se “një përgjegjësi të madhe për situatën e krijuar në Kosovë e bartin LDK dhe VV”.

Anëtari i Kryesisë së AAK-së e ka quajtur “hipokrizi politike” takimin ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Për deklaratat e tyre se ‘ne po bëjmë një marrëveshje politike’, nuk mendoj se janë pjekuri politike, por hipokrizi politike”, ka deklaruar Nitaj, duke thënë se “z. Haradinaj do t’i marrë votat e nevojshme për të krijuar qeverinë e ardhshme të Republikës së Kosovës”.