AAK: Donika mbahet në burg se e mbajti betimin për mbrojtjen e shtetit

donikabujupi.Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit për të mbajtur në paraburgim deputeten e Kuvendit të Kosovës, Donika KAdaj-Bujupi.

AAK-ja thotë se një deputet i Kosovës nuk e ka vendin në burg, por në Kuvend, duke thënë se Mustafa e Thaçi po e shtyjnë vendin në një krizë edhe më të thellë.

Ky është reagimi i AAK-së

Gjykata e Apelit, sot paska vendosur të mos e lirojë Donika Kadaj Bujupi, shefe e grupit parlamentar të AAK-së. Edhe vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit, për ta mbajtur në paraburgim zonjën Kadaj-Bujupi, por edhe vendimin paraprak i Gjykatës Themelore duke i shqiptuar asaj këtë masë, s’kan si të mos jenë vendime të ndikuara nga politika, që shënojnë një hap të parë nga demokracia parlamentare drejt një sistemi diktatorial.
Mustafa dhe Thaçi me vetëdije po e shtyjn vendin drejt një krize edhe më të thellë!
Një deputet i Kuvendit të Kosovës, nuk mund të mbahet në burg, por e ka vendin në Kuvend dhe kjo nuk do të mund të ndërrojë me kurrfarë vendimesh të gjykatave. Donika po mbahet në burg, pse e mbajti betimin për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Vendimet e tilla nuk janë as në funksion të drejtësisë e as të stabilitetit politik të vendit!
Ne do të vazhdojmë ta kërkojmë me ngulm lirimin e saj, sepse ajo nuk mund të mbehet përgjegjëse për veprimet e saj politike në Kuvend, që kanë konsistuar në mbrojtjen e territorit dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në vend të saj duhet të jenë ata që i kanë rrezikuar territor dhe që e kanë shkelur kushtetutën e vendit me marrëveshjen për Asociacionin.