AAK: Donika arrestohet me urdhër të politikës

aak-kryesiaAleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka konfirmuar se sot në orët e hershme të mëngjesit, forca të mëdha policore kanë arrestuar deputeten e AAK-së, Donika Kadaj, në dalje të shtëpisë së saj.

AAK, përmes një komunikate dërguar mediave, u ka bërë thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që të “mos shndërrohen në vegla të pushtetit duke zbatuar urdhra politike të të korruptuarve dhe kriminelëve institucional: Mustafës, Thaçit dhe Veselit”.

“AAK së bashku me opozitën është e vendosur të mos lejojë kalimin e dy marrëveshjeve: Asociacionin dhe Demarkacionin, përkundër shantazheve të pushtetit të korruptuar dhe kriminal, i cili është vënë në tërësi në funksion kundër interesave të shtetit duke cenuar rendin kushtetues dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e këtij subjekti politik.

AAK kërkon lirimin sa më parë të deputetes, Donika Kadaj.