AAK: Dhuna policore e pafalshme (Video)

 

protesta6

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thekson se dhuna policore kundër deputetëve, në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, është e pafalshme, e papranueshme, plotësisht e ngjashme me shtetet diktatoriale dhe e pashembullt në Kosovë.

AAK thekson se pamjet filmike që dëshmojnë sjelljen e dhunshme të Policisë ndaj deputetëve të popullit tregojnë gjendjen tepër të rëndë të kapjes së shtetit dhe vendosjes së Shtetit Policor.

“Urdhërdhënësit politikë të kësaj sjelljeje diktatoriale duhet ta kenë të qartë se as Serbia e Millosheviqit nuk ka mundur të ndalë vullnetin e shqiptarëve në Kosovë. Nuk do ta ndalin as këta që në forma të ndryshme i kanë shërbyer regjimit diktatorial të Serbisë gjatë okupimit apo në vitet e 1980-ta, dhe as ata që kanë zhvatur, kriminalizuar qeverisjen në Kosovë dhe kanë vjedhur Dhomën e Dëshmive në Polici”, thuhet në reagim.

AAK thekson se urdhërdhënësit politikë duhet ta kenë të qartë se janë përgjegjës për këtë gjendje që kanë shkaktuar në Kosovë dhe duhet të përballen me pasojat.

“Tashmë, këta kanë kaluar çdo kufi dhe për këtë do të mbahen përgjegjës, si urdhërdhënësit ashtu edhe zbatuesit!”, thuhet në reagimin e AAK-së.