A po hanë NISMA me dy lugë?

mustafa limajPartia NISMA, dje edhe publikisht bashkë me AAK-në  iu bashkuan Lëvizjes VETËVENDOSJE! në frontin e tyre në kundërshtimin e Asociacionit/Zajednicës dhe rrëzimin e qeverisë, një veprim më se normal në rrethanat nëpër të cilat po kalon vendi.

Mirëpo ky subjekt vazhdon të qeverisë në Malishevë në koalicion me LDK-në derisa edhe AAK në disa komuna të Kosovës është në bashkëqeverisje me LDK-në. Se sa ka të vërteta në veprimet e këtyre dy subjekteve të vogla opozitare mbetet të shihet. Me gjithë dallimet që kanë qeverisja qendrore me atë lokale vendimet dhe marrëveshjet e fundit me Serbinë të koalicionit qeverisës PDK-LDK  kanë irrituar shumë qytetarët e Kosovës duke bërë që këto dy parti të shihen tashmë si kërcënuese të interesave të Kosovës dhe të shitura ndaj Serbisë dhe ca diplomatëve ndërkombëtar.

Andaj, natyrshëm shtrohet pyetja nëse ka kuptim që NISMA në njërën anë të kundërshtojë marrëveshjet e fundit me Serbinë të cilat i ka nënshkruar Isa Mustafa dhe qeveria që ai udhëheq, kurse në anën tjetër të sillet me hipokrizi duke vazhduar në Malishevë koalicionin lokal me LDK-në garant i së cilës ishin Limaj dhe Isa Mustafa. Vet dega e LDK-së në Malishevë ditë më parë kishte mbrojtur publikisht marrëveshjet me Serbinë si dhe Zajednicën si pjesë e marrëveshjes derisa i kishte dhënë mbështetje të plotë veprimeve të Isa Mustafës të cilat Nisma po thotë se do ti kundërshtojë.

Tash mbetet ta vlerësojnë vet strukturat udhëheqëse të Nismës se si do duken para qytetarëve dhe anëtarëve të tyre kur në njërën anë ata ftojnë për pjesëmarrje në protesta në kundërshtim të qeverisë  dhe Isa Mustafës si udhëheqës i saj derisa të njëjtit e presin në Malishevë me duartrokitje po këtë Isa Mustafë. Pra, si mund të jetë që ky kryeministër qenka i keq për Kosovën  por i mirë për Malishevën?

Andaj mbetet që Nisma orëve në vijim ta qartësoj pozicionin e saj politik karshi veprimeve të saj me standarde të dyfishta në të kundërtën kjo sjellje jo vetëm që do ta dëmtojë vet Nismën por edhe opozitarizmin në vend. Apo, mos e tëra është një lojë e ulët politike e këtij subjekti për mbijetesë politikanesh duke mos çarë kokën për fatin e Kosovës dhe Malishevës si pjesë e saj. /MalishevaPress