A gënjeu përsëri qeveria se vizat do të hiqen në mars?

Premtimi i kryeministrit Ramush Haradinaj se Kosovës do t’i hiqen vizat me BE-në në muajin mars të këtij viti pa u miratuar Demarkacioni me Malin e Zi vlerësohet i parealizueshëm. Ekspertët e integrimeve evropiane thonë se edhe po qe se tash kalon Demarkacioni Bashkimit Evropian i nevojiten së paku 6 muaj kohë për ta proceduar një vendim të tillë.
Zotimi i kryeministrit Ramush Haradinaj se pas tre muajsh (në mars) do të hiqen vizat është i pamundur që të realizohet.
Kështu konsiderojnë njohësit e çështjeve të liberalizimit e të integrimit, të cilët thonë se gjashtë muaj së paku zgjasin vetëm procedurat pasi të merret vendimi për liberalizim.

Ndërkohë, ky nuk është zotimi i parë i Haradinajt se vizat do të hiqen pas tre muajve. Të njëjtin premtim e kishte bërë edhe para se të vinte në pushtet, porse një gjë e tillë nuk është realizuar, shkruan “Zëri”.

Megjithatë, zyrtarë qeveritarë kanë thënë se çdo ditë që po kalon do të jetë një hap më afër liberalizimit të vizave.

Nga ana tjetër kryeministri i Kosovës, Ramush Hardinaj, gjatë ditës së djeshme ka qëndruar në Bruksel në takimin e përbashkët mes kryeministrave të Ballkanit Perëndimor dhe shefes së Diplomacisë së BE-së, Federika Mogherini.