A do të përsëritet ngërçi politik i vitit 2014?

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë nuk kanë dhënë zgjidhje për formimin e një qeverie.

 Asnjëra nga partitë politike garuese nuk kanë arritur t’i marrin votat e mjaftueshme për formimin e institucioneve të reja, ndërsa koalicioni PAN që doli fitues në zgjedhjet e 11 qershorit duke fituar të drejtën për ta provuar krijimin e qeverisë vazhdimisht pohon se i kanë numrat e nevojshëm për formimin e qeverisë, mirëpo një gjë e tillë e kundërshtojnë partitë tjera politike.

Sipas partive tjera nëse koalicioni PAN do t’i kishte numrat për formimin e qeverisë do të thërrisnin seancën konstituive.
Mirëpo, përkundër kësaj një alternativë tjetër që është duke përfolur kohëve të fundit, është krijimi i një qeverie gjithëpërfshirëse, shkruan Bota Sot.

Ideja për një qeveri gjithëpërfshirëse ishte e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Behgjet Pacollit.

Sipas Pacollit, mund të vendoset një plan i veprimit një vjeçar i punës së qeverisë gjithëpërfshirëse. Pacolli ka propozuar organizimin e një tryeze mes liderëve të partive politike për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse me afat 1-vjeçar, ku kryeministër sipas tij, do duhej të ishte njëri prej Avdullah Hotit, Albin Kurtit apo Ramush Haradinajt.
Ndërsa, sipas analistëve politikë qeveria gjithëpërfshirëse kërkohet nga ata që nuk i kanë numrat.

Analistët pohojnë se qeveria gjithëpërfshirëse mund të jetë mundësi, mirëpo jo zgjidhja e krizës politike.

Mashtrim i radhës

Analisti Rexhep Shahu, thotë se fjala gjithëpërfshirëse është e magjishme, por jo për Kosovën.

“Kërkohet qeveri gjithëpërfshirëse sepse nuk janë të zotët, nuk kanë numrat për të formuar qeveri. Fjala gjithëpërfshirëse është e magjishme, por Kosova e ka provuar qeverinë gjithëpërfshirëse si han pa porta, të vjedh kush mundet më i pari, t’ia lëje kopilin në derë kush të mundet shokut”, shprehet Shahu.

Sipas Shahut, në teori qeveria gjithëpërfshirëse është mirë, mirëpo praktika e ka dëshmuar që palët që e bëjnë qeverinë gjithëpërfshirëse janë armiq politik.

“Në teori qeveri gjithëpërfshirëse është mirë, por praktika e ka provuar se palët që bëjnë qeverinë gjithëpërfshirëse janë armiq politikë e jarana në ndarjen e tortës së përfitimit e abuzimit. Krijimi edhe një herë i një qeverie bashkë me LDK- PDK etj do të ishte imoraliteti politik i radhës dhe mashtrimi para popullit se po e bëjmë këtë gjë për hir të Kosovës e të popullit. Mashtrim i radhës imporalitet i radhës”, thekson Shahu.

Qeveria gjithëpërfshirëse, qeveri e përkohshme

Ndërsa, analisti politik Skënder Zogaj shprehet se mundësia e qeverisë gjithëpërfshirëse është e preferuar, mirëpo kjo është mënyra e përkohshme e zgjidhjes së krizës.

Sipas Zogajt, variant i një qeverie gjithëpërfshirëse mund të jetë i pranueshëm në rast se partitë politike do ta kuptonin se Kosova ka nevojë për funksionalitet dhe shmangie të çdo lloj ngërçi.

“Në rastin e gjendjeve të veçanta që prodhojnë mos mundësi për zgjidhje të duhura qeverisëse, është e preferuar edhe kërkesa për qeveri gjithëpërfshirëse, si një mundësi e daljes nga kriza. Mirëpo, kjo është mënyra e zgjidhjes së përkohshme të krizës sepse, qeverie gjithëpërfshirëse janë arnim i çastit, për dalje nga ngërçet.

Prandaj, edhe në rastin tonë, varianti i një qeverie gjithëpërfshirëse do të mund të jetë i pranueshëm, nëse partitë politike do ta kuptonin se, Kosova ka nevojë për funksionalitet dhe shmangie të çdo lloj ngërçi, sepse, ndodhet në çastet historike shumë delikate dhe përcaktuese të fatit të popullit shqiptar në Kosovë. Rezultati zgjedhor i 11 qershorit është tepër delikat dhe, shumë i pafavorshëm për krijimin e një qeverie minimalisht stabile, kështu që, kriza është evidente dhe me mundësi të thellimit, prandaj, partitë politike duhet të vetëdijesohen dhe të kuptojnë se, në këto rrethana nuk u duhet marrja e pushtetit me çdo kusht”, shprehet Zogaj.

Sipas Zogajt, gjetja e zgjidhjes duhet të analizohet mirë dhe thellësisht si dhe në mirëkuptime ndërpartiake.

“Gjetja e zgjidhjes duhet të analizohet mirë dhe thellësisht, me kërkim të mirëkuptimeve ndërpartiake, Në këtë drejtim, një qeveri gjithëpërfshirëse, pa teke dhe me strategji përfituese për qëllime të ngushta partiake, do të mund të ishte produktive, sidomos në realizimin e çështjeve madhore shtetërore që janë kërkesa të bashkësisë ndërkombëtare, siç janë: demarkacioni me Malin e Zi, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, formimi i ushtrisë….

Këto detyrime një qeveri gjithëpërfshirëse do të mund t’u jepte zgjidhje të shpejt dhe të pranueshme, e kjo do të ishte një arritje e madhe, sepse do t’ia hapte udhën Kosovës drejt BE-së”, thekson Zogaj.

Kusari- Lila kundër

Kundër idesë së qeverisë gjithëpërfshirëse është shprehur kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari- Lila.

Kusari- Lila i ka numëruar arsyet, për shkak të të cilave sipas saj, një qeveri gjithëpërfshirëse nuk do të ishte zgjidhja e duhur për vendin.

“Qeverisja gjithëpërfshirëse e propozuar së fundmi, nuk është zgjidhje e problemit. Do të përfundonim me të njejtin numër të Ministrive (mos më shumë) se etja për pushtet ka dehur disa ende pa e marrë pushtetin. Gjithashtu, përvoja e fundit me dy parti të mëdha në Qeverisje tregoi se nuk mund të qeverisin ata që duan të tërheqin qeverisjen vetëm në drejtim të interesave të subjektit të vet. Mbetet programi në gjysëm, ashtu sikur edhe mbeti. Duhet konsensus dhe resekt për partnerët qeverisës, e ky respekt vështirë se arrihet me gjithëpërfëshirje në Kosovë. Nuk e kemi ne ende këtë kulturë politike ose qeverisëse”, është shprehur Mimoza Kusari-Lila.