25 ditë para zgjedhjeve Begaj shtron asfalt ”për votë” (foto)

Ndonëse në vazhdimësi ka premtuar që gjatë fushatës nuk do të bëjë investime për votë kryetari në ikje Ragip Begaj po vazhdon me investime në infrastrukturë në fshatra ku subjekti i tij Nisma nuk i ka punët mirë.

Dje komuna ka bërë të ditur se ka shtruar rrugët në lagje në fshatin Tërpezë e poshtme, Plloqicë, Damanek, Drenoc.

Investimet e bëra gjatë këtyre ditëve sipas dëshmitarëve okular që kanë dërguar edhe fotografi në redaksinë tonë janë të kualitetit mjaft ë dobët dhe pa planifikim dhe projekte.

Investimet në 30 ditëshin e fundit të qeverisjes Begaj po shihen me dyshim nga qytetarët dhe si fushatë dëshpëruese e Begajt për mos ta humbur qeverisjen e Komunës së Malishevës.

Ja njoftimi i plotë i komunës:

Në kuadër të rregullimit të infrastrukturës së përgjithshme, në fshatrat e  Komunës së Malishevës, gjatë kësaj fundjave dhe sot, ka përfunduar rregullimi, përkatësisht asfaltimi i disa rrugëve, në fshatrat Drenoc, Tërpezë e Ulët, Damanek dhe Qypevë, rrugë të cilat kanë rëndësi jetike për banorët e lagjeve të këtyre fshatrave, pasi tashmë, përveç asfaltimit të rrugëve kryesore, janë lidhur me rrugë të asfaltuar edhe lagjet me lagje.

Krahas mbikëqyrjes gjatë asfaltimit, sot, drejtori i Drejtorisë së Urbanizimit, Ahmet Morina, i shoqëruara edhe nga zyrtarët e kësaj drejtorie i kanë inspektuar punimet në gjashtë rrugët e asfaltuara ditëve të fundit. Morina, është ndarë i kënaqur me punimet e kryera në këto rrugë.

“Ajo për çfarë sot flasim, është rregullimi i infrastrukturës brenda fshatrave dhe kjo është gjë e mirë, pasi jo vetëm rrugët kryesore, të cilat ka kohë që kanë përfunduar në territorin e Komunës së Malishevës, por po shkojmë drejt përfundimit të rrugëve dhe infrastrukturës tjetër edhe brenda lagjeve dhe rrjedhimisht, me këtë po lehtësohet edhe jetesa e qytetarëve”, tha Morina. “ Ne jemi të përkushtuar që të rregullojmë infrastrukturën në përgjithësi, në çdo fshat dhe në çdo lagje, dhe të gjitha këto janë investime të parapara në listën e investimeve kapitale për këtë vit, ndërsa tashëm jemi në fund të realizimit të të gjitha projekteve njëvjeçare”, tha Morina, i cili gjithashtu, bëri të ditur se të gjitha këto rrugë që kanë përfunduar, janë ndërtuar me buxhetin e Komunës së Malishevës.

 

Foto: Gjendja e rrugës së sapoasfaltuar në Drenoc