Ka filluar ndërtimi i nënkalimit në Dragobil

nenkalimi-dragobil1

Në kuadër të përpjekjeve për rregullimin e infrastrukturës së përgjithshme në territorin e Komunës së Malishevës dhe krijimit të kushteve më të mira për të gjithë qytetarët, në veçanti për nxënësit, këto ditë ka filluar ndërtimi i nënkalimit në Dragobil, me qëllim të qarkullimit të sigurt të nxënësve për në shkollën e fshatit. Ky nënkalim, mundëson kalimin e rrugës magjistrale, që deri më tani ka qenë rrezik për nxënësit e tri fshatrave që mësojnë në këtë shkollë.

Fillimin dhe ecurinë e punimeve në ndërtimin e nënkalimit, e ka përcjellë edhe drejtori i urbanizimit në Komunën e Malishevës, Ahmet Morina, i cili tha se “ndërtimi i këtij nënkalimi pritet të përfundoj brenda muajit dhe punimet do të bëhen sipas standardeve”. Drejtori Morina, e quajti “shumë të rëndësishëm realizimin e këtij projekti, pasi aktualisht, nxënësit e kësaj shkolle, kanë qenë më të rrezikuarit, për shkak të kalimit të rrugës magjistrale Prishtinë-Malishevë-Rahovec, e që në ta kaluarën ka pasur edhe aksidente”.

“Më herët është ndërtuar trotuari për një pjesë të nxënësve, ndërsa tani po rregullojmë edhe nënkalimin dhe shumë shpejt pritet edhe ndërtimi i trotuarit në pjesën e poshtme të rrugës, në mënyrë që nxënësit që vijnë nga katër drejtimet, të mos rrezikohen duke ecur përgjatë rrugës, por të shfrytëzojnë nënkalimin dhe trotuaret”, tha drejtori Morina.

Përndryshe, në shkollën e fshatit Dragobil mësojnë nxënës nga fshatrat Dragobil, Maxharrë dhe një pjesë e Astrazupit, ndërsa shumica e nxënësve kanë qenë të detyruar ta kalojnë rrugën magjistrale, pasi shkolla gjendet jashtë fshatit dhe në anën tjetër të rrugës magjistrale.

Ndërtimin e nënkalimin e ka mirëpritur banorët e këtyre fshatrave, e sidomos prindërit, pasi fëmijët çdo ditë shkolle, kanë qenë të rrezikuar, dhe nënkalimi që po ndërtohet, krijon siguri më të madhe për prindërit, të cilët, në vazhdimësi kanë qenë të detyruar ti përcjellin fëmijët në shkollë, sidomos ata të klasave të ulëta, pikërisht për shkak të kësaj rruge.

Sipas drejtorit Morina, nënkalimi pritet të përfundoj brenda muajit, ndërsa shuma e projektit është rreth 64 mijë euro.

nenkalimi-dragobil2nenkalimi-dragobil3