​KQZ akrediton 25 mijë vëzhgues

Komisioni Qendror Zgjedhor deri tani ka akredituar 25 mijë vëzhgues, derisa vetwm sot ka akredituar gjithsej 21 mijë e 754 vëzhgues për monitorimin e zgjedhjeve lokale të 22 tetorit.

Miradije Mavriqi nga Zyra për Regjistrimin e Partive Politike ka rekomanduar akreditimin e gjithsej 21 mijë e 745 vëzhgues pasi që dokumentacioni i kontrolluar ka qenë konform legjislacionit.

Vëzhguesit e akredituar përfaqësojnë subjekte politike, OJQ, organizata ndërkombëtare, media vendore e ndërkombëtare.

Gjatë kësaj mbledhje, Komisioni Qendror Zgjedhor, gjithashtu ka miratuar përbërjen e emërimeve për Këshillat e Vendvotimeve sipas komunave përkatëse për Zgjedhjet Lokale 2017. Anëtari i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, Betim Gjoshi ka kërkuar nga Sekretariati i KQZ-së që deri të dielën t’i dorëzojw emrat e përveçëm e anëtarëve të këshillave të vendvotimit.

Ndërkaq, kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi ka njoftuar se periudha e votimit përmes postës ka filluar më 21 shtator.

Sipas tij numri i zarfeve që u janë dërguar votuesve jashtë Kosovës është 8 mijë e 746. Halimi tha se po ashtu tha se KQZ ka bërë shpërndarjen e materialeve nëpër pika shpërndarëse në 26 ambasada, 26 konsullata dhe në 31 pika shpërndarëse të tjera të Republikës së Kosovës në diasporë.