ҪFARË SISTEMI TË DREJTËSISË KEMI NË KOSOVË?

Arsim Haziri

Shkrim nga Arsim Haziri

Sistemi  Drejtësisë në Kosovë është i kapur nga dora e zgjatur e politikës,dhe me ҫdo kusht tentojnë  ta mbështjellin me  mosfunksionalitet e anshmëri politike ,madje në raste shumë të nëvojshme, dhe njëherit e vendos trupin social përbrenda linjave aspak ekzistenciale,që domosdoshmërisht e ia zgjasin jetën abnormalitetit politike. Trupi politik vetëm përmes këtij sistemi të brisht të sistemit të drejtësisë korrë suksese dhe kjo linje alogjike ua krijon rrugën për të qëndruar sa më shumë në pushtet, prandaj me ҫdo kusht e pamundësojne një situate të re dhe të favorshme për vullnetin e përgjithshëm.

Koncepti Drejtësi, si një element mjaft me peshë është jashtëzakonisht i dobishëm për funksionimin normal të një shteti, i cili ndikon pozitivisht në ndërtimin e një strukture të lartë demokratike dhe ligjore. Sot në jetën bashkëkohore një levizje e frytshme prej shtetit nuk mund të paramendohet pa jetësimin e nevojshëm të konceptit më bazik siç është  ai i Drejtësisë. Ne dimë shumë qartë se  shtyllat esenciale që përbëjnë funksionalitet të kërkuar demokratik e ligjor, domosdoshmërisht se janë: territori gjeografik i drejtësisë, mënyra e qeverisjes dhe përdorimi sa më i madh e i arsyeshëm ndaj brengave që paraqesin shqetësim për gjithë qytetarët e një vendi, si dhe vetëdija e lartë morale e politike e qytetarëve dhe vendosmëria e tyre në mënyrë sa më racionale për çështje që konsiderohen si më thelbësore.

Sa për arsye kemi edhe teori të ndryshme lidhur me konceptimin sa më  racional  të drejtësisë që e paraqesin atë si bazë fundamentale, apo si e drejtë që mund të shfrytëzohet nga gjithkush dhe është e gjithsecilit. Po ashtu është e  garantuar me dokumentet më të larta juridike si shtetërore ashtu edhe të jashtme, që  assesi  s’mund të mohohen apo tjetërsohen.

Nëse  i referohemi Sistemit të Drejtësisë që ne po e jetojmë, atëherë pa dashur futemi në analiza mjaft të shkurta personale dhe nxerrim përfundime mjaft të pa këndshme që mbase do të pushtojnë rëndë vlerat demokratike dhe që do të vihet në rrezik edhe brezi i ardhshëm.

Mjafton vetëm të kujtojmë  se që nga  paslufta tërë bashkësia ndërkombëtare me miliona euro ka derdhur vetëm për ndërtimin e një sistemi të cilësisë së lartë të drejtësisë në Kosovë, dhe ne sot e asaj kohe fatkeqësisht  akoma vuajmë nga mungesa e një efikasiteti të lartë të drejtësisë që para se gjithash do të ndihmonte shumë në mbjelljen e një strukture të lartë ligjore  dhe që do t’i përgjigjej shtetit në mënyrë racionale.

Në 15 vite pas luftës dhe 7 vite shtet i Pavarur dhe Sovran, ne akoma vuajmë nga brishtësia e madhe e Sistemit të Drejtësisë dhe  mosfunksionimi i  saj që po e minon fuqishëm  vetë ekzistencën tonë si shoqëri.

Natyrisht se i tërë faji i vihet subjekteve politike, në veçanti atyre të mëdha  që qeverisën me vendin për kohë me radhë dhe  përformuan pandalshëm dëshirën e madhe ndaj pushtetit. Kjo bëri që me rezerva politike dhe llogaridhënje minore ta shohin mirëqenien e përgjithëshme  qytetare dhe rolin e saj që do të mund ta kishin në ndërtimin e konsolidimin e shtetit.

Në anën tjetër kemi edhe skandalet më të mëdha, ndër ta  sidomos para paraqitjeve mediale publike që me ç’rast qëllimshëm theksojnë se sundimi i ligjit dhe zbatimi i saj i plotë do të jenë çështje  primare, mirëpo e vërteta qëndron ndryshe se ndaj sektorit të drejtësisë shumë pak është menduar për të investiuar, diku një përqindje minimale sa për formalitet.

Sistemi i Drejtësisë në Kosovë ka munguar në krijimin e një klime të favorshme, po ashtu  edhe në reformimin e pjesës më të madhe të sektorit të drejtësisë që kishte mundur me qenë efikas në çdo rrugë të rëndësishme.

Tërë këto mosangazhime apo mosinteresime kanë bërë që ne si shoqëri e re në Ballkan të ngecim në të gjitha sferat, dhe si rezultat i tyre ne jemi këtu ku jemi, pa funksionalitet normal të shtetit, sistem të brishtë të drejtësisë si dhe një zbatim të papërpikt dhe minor të saj.

Së fundmi që dëshmon kundër  mendimit  të përditshëm të zyrëtarve qeveritarë se ne përbëjmë shtet ligjor dhe efikas  është krijimi i një instance më të lartë në raport me ato shtetërore e quajtur Gjykatë Speciale, ku njëherit ky institucion ndërkombëtar është rezultat i një dobësie të parreshtur i sistemit të drejtësiës sonë për mos ndjekjen e rasteve penale  që kanë mundur të mendohen se janë raste serioze.

Kjo Gjykatë  Speciale si në organizim, kompetenca dhe funksionim do të jetë ndërkombëtare dhe aspak vendore, që njëherit  është dhe dobësi e të gjitha qeverisjeve tona që me politikat e tyre degjeneruese ndikuan padrejtësisht në kultivimin e një forme të veçantë të të funksionuarit.

Sistemi i Drejtësisë në Kosovë duhet urgjentisht t’iu nënshtrohet një  procesi substancial dhe multidimensional të reformimit dhe ndryshimit, pastaj të pushojë së ndikuari dhe aktivizuari nga politika e pandërgjegjshme shtetërore si dhe të ndërmerren iniciativa për zgjidhjen e kuadrove  me integritet të lartë moral e profesional, vetëm në këtë mënyrë ne mund të krijojmë   një sistem drejtësie të paanshme dhe të pavarur politikisht me të cilin mund të përbëjmë një shtet me mirëqenie të lartë qytetare, një shtet ku secili është përgjegjës dhe llogaridhënës ndaj detyrës së vet.

Kjo natyrisht do t’i shërbejë shtetit tonë në masë të madhe, ngase  si shoqëri e re në vazhdimësi jemi përcjellë me degradim të skajshëm të Sistemit të Drejtësisë dhe kjo ka bërë që ne sipas çdo raporti Europian të nxirremi si shtet me ngecje më të mëdha që ka mundur të ndodhin ndokund.

Sot kjo qeveri edhe me aq kohë që vonoi në konstituimin e saj duhet më shumë se kurrë që të ngrisë tërë kapacitetin e saj politik, fizik dhe intelektual që të ndërmarrë hapa urgjent, të ndërtojë një platformë apo strategji gjithëpërfshirëse të shpejtë në krijimin e një ambienti më të favorshëm për ngjalljen e Sistemit të Drejtësisë.